1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi: Katër muaj burg për “Mbretin e kriptovalutave”

20 Qershor 2023

“Mbreti i kriptovalutave” Do Kwon, mollë sherri mes kryeministrit aktual, Dritan Abazoviq, dhe mandatarit për formimin e qeverisë së re, Millojko Spajiq, dënohet me katër muaj burgim nga Gjykata Themelore e Podgoricës.

https://p.dw.com/p/4SmtJ
Arrestimi i Hyeong Do Kwon
Arrestimi i Hyeong Do KwonFotografi: Radio Television of Montenegro

Në gjykatën Themelore në Podgoricë përfundoi gjykimi ndaj të ashtuquajturit "mbreti i kriptovalutave”, Hyeong Do Kwon, dhe partnerit i tij në biznes, Hon Chang Joon. Ata u dënuan me nga katër muaj burgim, për falsifikimin e pasaportave të tyre për të cilat ata thanë, se ishin të bindur se ishin të ligjshme.

Të dy të akuzuarit u arrestuan më 23 mars 2023 në aeroportin e Podgoricës kur po mondoheshin të largoheshin nga Mali i Zi me një fluturim privat për në Dubai. Gjatë kontrollit tek të dyshuarit u gjetën dokumente të rreme udhëtimi nga Koreja e Jugut dhe Belgjika.

Do Kwon kërkohej me urdhër arresti nga Interpoli për mashtrim ndërkombëtar
Do Kwon kërkohej me urdhër arresti nga Interpoli për mashtrim ndërkombëtarFotografi: Bloomberg via Getty Images

Do Kwon kërkohej me urdhër arresti nga Interpoli me akuzën për mashtrim ndërkombëtar prej 40 milardë dollarësh përmes kriptovalutave.

Ai dje partneri i tij kërkohen nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe nga Koreja e Jugut. Gjykata malazeze do të vendosë lidhur me ekstradimin e të dyshuarve në Korenë e Jugut. Avokati mbrojtës, Goran Rodiq, tha se klientët e tij i kanë marrë pasaportat përmes një agjencie në Singapor. ”Dokumentet janë marrë përmes shtetësisë ekonomike apo investuese në Singapor, ku ata kanë hyrë rregullisht dhe kanë plotësuar kërkesën” tha avokati mbrojtës.

Pas përfundimit të procesit në Gjykatën Themelore në Podgoricë, Do Kwon do të merret në pyetje dhe nga Prokurori special për krimin e organizuar.

Mollë sherri mes Abazoviqit dhe Spajiqit

"Mbreti i kriptovalutave” Do Kwon është mollë sherri midis kryeministrit aktual Dritan Abazoviq dhe mandatarit për formimin e qeverisë së re Millojko Spajiq dhe do të merret po ashtu në pyetje lidhur me letrën dërguar kryeministrit Dritan Abazoviq në të cilën ai tregonte lidhjet e tij financiare me liderin e lëvizjes "Evropa Tani" Millojko Spajiq dhe financimin e fushatës së tyre zgjedhore.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq (djathtas)
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq (djathtas)Fotografi: coalition Democrats-URA

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmonte se letra kishte arritur disa ditë para fushatës për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 11 qershor.

Nga ana tjetër Spajiq i hodhi poshtë akuzat se lëvizja "Evropa Tani" ishte financuar nga Do Kwon ose dikush prej kripto-komunitetit dhe e akuzoi kryeministrin Abazoviq për keqpërdorim të institucioneve shtetërore.

Megjithatë Millojko Spajiq tha se Do Kwon-in e njeh që nga viti 2018 dhe se për herë të fundit me të është takuar në nëntorin e vitit të kaluar. Ai i bëri thirrje kryeministrit Dritan Abazoiq dhe ministrit të Brendshëm, Filip Axhiq, që çdo gjë që lidhet me të dhe me "bosin e kriptovalutave” t'ia paraqisin gjykatës speciale.

Millojko Spajiq, kryetar i Lëvizjes "Evropa Tani"
Millojko Spajiq, kryetar i Lëvizjes "Evropa Tani" Fotografi: Europe Now

Lëvizja "Evropa Tani" me liderin Millojko Spajiq fitoi numrin më të madh të mandateve nëzgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor dhe ai si mandatar për përbërjen e qeverisë së re ka nisur konsultat me subjetet poltike dhe koalicionet për formimin qeverisë.

Që në fillim Spajiq ka thënë se nuk do të zhvillojë bisedime as me Partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit, Millo Gjukanoviq, por as me lëvizjen qytetare URA të Dritan Abazoviqit.

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini