1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Kundërsulme ukrainase në front

11 Qershor 2023

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi të shtunën kundërsulmet ukrainase por e la të hapur kështu, nëse bëhet fjalë për kundërofensivën e përfolur prej muajsh.

https://p.dw.com/p/4SPgD
Një raketë ukrainase - pamje nga luftimet në Bahmut, maj 2023
Një raketë ukrainase - pamje nga luftimet në Bahmut, maj 2023Fotografi: LIBKOS /AP/picture alliance

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi  të shtunën kundërsulmet ukrainase përgjatë frontit. Në kuadër të mbrojtjes vazhdojnë sulme të tilla, tha ai të shtunën në një konferencë shtypi në Kiev. "Se në cilën fazë janë nuk do ta them në detaje", Zelensky. Ai e la të hapur kështu, nëse bëhet fjalë për kundërofensivën e përfolur prej muajsh. Në të njëjtën kohë, Zelensky kundërshtoi presidentin Putin, që të premten kishte deklaruar, se ofensiva ukrainase kishte filluar, po nuk i ka arritur qëllimet e saj. Nuk i besoj as kanaleve të Telegramit as Putinit që thotë se ofensiva ka dështuar, u shpreh Zelensky, i cili shtoi se është në kontakt të përditshëm me gjeneralët, që janë "në gjendje të mirë." "Këtë mund t'ia bëni të ditur Putinit", tha Zelensky.

Pas publikimeve të ndryshme për fillimin me gjasë të kundërofensivës ukrainase, kreu i shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte bërë fjalë fillimisht për "beteja veçanërisht të vështira". Të premten ai i kishte falënderuar të gjithë ushtarët që marrin pjesë aty dhe i lëvdoi ata për "heroizmin". "Ne e fokusojmë vëmendjen tonë në të gjitha drejtimet, ku kërkohet veprimi ynë dhe ku armiku të pësojë dështim", tha presidenti ukrainas në një fjalim me video.

Pak orë më parë ishte presidenti rus, Vladimir Putin që kishte pohuar, se kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës ka filluar, në një intervistë të publikuar në Telegram me një televizion shtetëror rus. Ka prej disa ditësh "luftime intensive", ishte shprehur Putin dhe se ukrainasit në asnjë nga segmentet e frontit nuk i kanë arritur qëllimet e tyre. Të gjitha këto të dhëna nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Lidershipi në Kiev aktualisht shprehet i rezervuar.

Volodymyr Zelensky
Volodymyr ZelenskyFotografi: The Presidential Office of Ukraine

Së fundmi ka qenë disa ekspertë ushtarakë perëndimorë që kanë hamendësuar, se ofensiva e ushtrisë ukrainase është në veprim e sipër. Instituti Amerikan, Institute for the Study of War ka bërë të ditur, se ka disa tregues për këtë. Edhe "New York Times" duke iu referuar tre përfaqësuesve të lartë amerikanë ka pohuar, se kundërofensiva ka filluar ndërkohë. Televizioni NBC News duke iu referuar ushtarakëve amerikanë, pa përmendur emrat, ka konfirmuar se ofensiva ka filluar. Por ushtria ukrainase nuk i pranoi këto njoftime. "Ne nuk kemi informacione të tilla", tha një zëdhënës i shtabit të përgjithshëm ukrainas dhe nuk pozicionohemi ndaj burimeve anonime.

Zaporishja
ZaporishjaFotografi: REUTERS

Rezervuari i Zaporishjas në fokus

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, IAEA rezervuari që përdoret për ftohjen e centralit atomik, Zaporishja ndodhet në kushte jo të mira. Pas shpërthimit të digës në Dnjipro, vëmendja është fokusuar tek rezervuari. Sipas IAEA presioni mbi digën përreth rezervuarit rritet së brendshmi për shkak se ka rënë ndjeshëm niveli i jashtëm i ujërave në lum, u shpreh IAEA në Vjenë. Ky autoritet që ka stacionuar vëzhgues në zonën e centralit të pushtuar nga rusët, po e vëzhgon me kujdes gjendjen, është shprehur kreu i Agjencisë Rafael Grossi. Centrali atomik nuk është në rrezik akut, por shkatërrimi i digës së Kahovkas dhe rritja e aktiviteteve ushtarake po sjellin "vështirësi të reja të mëdha", ka thënë Grossi.

la/dw/tgsch